
1.
ORARI
Unë për çdo natë, kur bie në gjumë
E mendoj orarin se e dua shumë
Motra ime Zana, fletoret i ndanë
Thotë se matematika duhet t’jetë me një anë.
Ikë moj budallaqe, se s’është punë për ty
A s’është matematika edhe për fëmijë?
Sa herë që kuzhinën t’i e hulumton
Asnjëherë s’pajtohesh veç me një bonbon.

2.
KUR BIE NATA
Kur bie nata?
Pyet SONATA
A ka ëndrra flokë të gjata
Apo agu ia shkurton
Kur ende jemi nën jorgan.
Kur bie nata?
Pyet SONATA
Abetarja ikën e ngrata
Do të fshihet nën tryezë
Apo në çantën time të zezë.

3.
OMBRELLA
Ankohet ombrella
Se po punon shumë
E përse gjithë shiun
Dashka ta mbaj unë.
Ku i kanë mantelat
Fëmijët dembel
E vashëzat kapelat
T’ëmbla si sheqer.
Ani edhe plaku
Posi teveqel
Nuk dashka në derë
Të dalë asnjëherë
Pa më marrë me vehte
Dimër edhe verë.

4.
NOTAT
Shpesh unë kaloi
Afër shkollës sime
Më kujtohen bankat
Dhe mësuesja ime.
I kujtoj dhe pesat
Radhitur në ditarë
E ju do mendoni
Se kurr dysh s'kam marrë
Sa për tresh e katër
Kjo më ka ndodhë shpesh
Bile e shtyenin dyshin
Mos ta kenë në mes.
E kur njëshi plak
Donte të marrë hak
Trokiste në derë
Që t`i bëjë konak
Por në fund vendosa
Që të ndryshoj punë
Gjithë notat e dobëta
I vura në gjumë
Pesa bukuroshe
Buzëqeshi në ditar
Kurorën tha mua
S’mund kush të ma marrë.

5.
BORA
Nga dritare ime e vogël
Vështroj borën si po bie
Nga gëzimi për këtë bardhësi
Më thurë zemra melodi.
S’mund durova dhe u zgjova
Kapelë, dorëza shpejt kërkova
Në tavan me shumë nxitim
Hulumtoja Sajin tim
Edhe Saji fort u gëzua
Do më marrish tha dhe mua
Do shëtisim tërë qytetin
Borës do ia dimë lezetin
Shokët më panë me zili
Prit, mos u bërë qilimi
Duam të gjithë një dordolecë
Kokë tenxhere e hundë-spec
Do të lozim gjithë së bashku
Unë, Ti, Loti e Miloti
Topa bore ne do të bëjmë
Vashëzat t'i ngacmojmë.
6.
NË BIBLIOTEKË
Bibliotekën e qytetit
Me shokë shpesh e vizitojmë
Është si një pulëbardhë buzë detit
Eh, ç’kohë të mirë kalojmë.
Një ditë ndodhi t’hezitojmë
Çfarë duhet t’lexojmë
Njëri thoshte histori, tjetri poezi
U krijua tollovi as vet nuk e di
Njeri tjetrin lehtë qortonim
Nuk mund të duronim.
Xha Sokoli na vështronte
Mendjen na e lexonte
Sillte kokën, ngriste syzet
Këshilla na ofronte.
T`i lexoni tha të gjitha
Sa shumë ia vlenë
Mëmëdhe e kan Shqipërinë
Stërgjysh SKËNDERBENË.
Kosova nuk mbetet prapa
Për këtë ju bëjë benë
Mbret të penës që të dyja
E kanë KADARENË.
7.
KUR MAMI ANKOHET
Mami babit i ankohet
Se s’dëgjuakam unë
Bëjnë shumë plane, propozime
Për njëmijë ndëshkime
Në shkollë të muzikës,
Është mirë ta dërgojmë
Dhe në kurs vallëzimi
Duhet ta regjistrojmë
Deomos i duhet
Një kurs kompjuteri
Së fundi as dy plus dy
S’di me i mbledh i mjeri
Dhe Gjuhën Angleze
S’duhet lënë pas dore
Do të jetë tha një recetë
Që ta ketë për jetë.
Nga të gjitha këto ndëshkime
U mbush mendja plot mësime
Andaj buza në gazë më shkoi
Athua mami keq mendoi?
8.
DALLGË E DETIT
Dallgë e detit bukuroshe
Flokëbardhë e sy kaltëroshe
Pa më thuaj si ke guxim
Të vërsulesh me aq nxitim
Nuk njeh çun e as çunak
Kur të lusin ndalu pak
E as vashëzat që s’përtojnë
Si pulëbardha të vallëzojnë
Dallgë e detit bukuroshe
Flokëbardhë e sy kaltëroshe
Në detë shtrihesh gjithë hijeshi
Si borë e parë mbi çati

9.
DITËLINDJA
Kam bërë ftesa për gjithë shokët
Dhe Kitarën e kam blerë
Do këndojmë me zë shumë
Të festojmë shumë e shumë.
Përgatita veshin tim
Të duroj një torturim
Për ditëlindje shokët e mi
Do ta shkulin me siguri
Sa shumë lodra e gëzime
Patëm dhe një varg urime
Vashat nisën të recitojnë
Si zogjë mali të cicërojnë.
DIONI një komedi
Kishte sjellë si befasi
Fëq e fëq rolet i ndamë
Kush Princeshë e kush Luan.
Përcjell lojën motra ime
Edhe mami tortën sjell
Shtatë qirinj kishte mbjell
Që t`i fikë përnjëherë.
Torta paksa u ankua
Pse të fundit më leni mua
Keni ngrënë pemë e perime
Pa mendua për vuajtjen time
Dhe me gishta më gjymtoni
Vjedhurazi më sulmoni
E çfarë më duket paksa çudi
Ju këtë e quani mrekulli?

10.
NËNË TEREZA
Sa krenar sot jemi ne
Të gjithë, pa dallim fe
Nënë Terezën dëshirojmë
Bashkë ta Lumturojmë
Edhe bota na ka zili
Për të mirë o fëmij
Se kemi një nënë të madhe
Bijë e trojeve Shqiptare
Mund ta quash Perëndeshë
Nëse do edhe Hyjneshë
Por një gjë ta mbash mend prore
Se një vepër kaq madhështore
Gjithë kombin mban për dore.

11.
MË TREGO
Pse mendon se Gjuha Jonë
Nuk na paska mjaftë fjali
Që të shkruash si do shpirti
Një të bukur poezi
Pse mendon se dhe Liria
Të është falur Mua dhe Ty
Vallë ne ishim qilimi
Kur luftonin djemë të ri
Nuk mjaftoka që Flamuri
Ka dy ngjyra kuq e zi
Edhe Plisi tepër i bardhë
Po të duket Ty tani
Eja të të marrë për dore
E të shkundim armiqësitë
Qirinjtë ndezur rreth nesh prore
Ah, sa pak që na bëjnë dritë.

12.
ABETARJA
Abetare abetare
Je shtëpi me shumë dritare
Në Kosovë e diasporë
Fëmijët të kanë meteor
E buzëqeshur rri çdoherë
Të tjera libra të bëjnë nderë
Mendja u shko se bënë magji
Që të do ty çdo fëmij
Në klasë sillesh si Sorkadhe
Me të gjithë do hedhësh valle
Por kur nata shpejton hapin
Fët e fët e gjen dollapin
DEA gjumë nuk vë në sy
Pa të marrë nën batani
Abetare abetare
Je shtëpi me shumë dritare
Shkronjë e yte kur demonstron
Edhe përtacin nga gjumi zgjon.

13.
VITI I RI
Bredhi ynë pret e pret
Të stoliset me lezet
Merr mesazh nga Viti i Ri
Më prit, më prit se do të vij.
Babadimri ai zotëri
Ka tubua shumë fëmijë
Prej një fshati në qytet
Fluturon me sajë të vetë.
Por dy kukulla me pahirë
Kishte marrë një vashë të mirë
Pa shih vasha si veproi
Njërën bredhit ia dorëzoi.
Bredhi ndihej shumë krenar
E mbante si Lapidar
Xixëllonjat e adhuronin
Dhe balonat lartë e qonin.
Veç qiriu faqeziu
Kishte ndjellë pak xhelozi
Po përtonte të flakëronte
Ashtu mirë si di ai.
Kur filluam të festojmë
Gjithë rreth bredhit të këndojmë
Viti i Vjetër rrugën lëshoi
Pak gërhati e pak çaloi.

14.
LAPSI IM
Jam në hallë me lapsin tim
Punën bënë me shumë nxitim
Në klasë shpesh është deklarua
Thotë se goma s’është për mua
Kur dëgjohet zilja në klasë
Një shkronjë tepër e përplasë
Kur i them të më dëgjoj
Kam thotë unë, jo ti përvojë
Një ditë bile mu kërcënua
S’më mirëmban t’i fare mua
Gjatë tërë natës ore zotëri
Shkruan novelë dhe poezi
Ke ndër mend të bësh orar
Dytë të dalim faqebardhë
Kjo më shtyri të mendoj
Mos vallë unë diku gaboj?

15.
SIMPATIA
Sot në klasë ndodhi çudi
Të gjithë më thërrisnin Simpati
Për një çast unë u mendova
Prej nga emrin e fitova
Gjatë tërë kohës unë i shkreti
Jam mundua ta mbaj për veti
Por më kot gjithë klasa e di
Se unë kam një simpati
Shokët nisën të aktrojnë
Emrin donin t’ia qëllojnë
Për një çast frika m’kaploi
Mos vallë RRAPI më tradhtoi
Se në sy e paska qiellin
Dhe në flokë ka lulediellin
Tash më t’gjithë e kanë kuptue
As që dojnë me diskutue
U mundova dhe zbulova
Prej nga gjithë kjo komedi
Edhe vetit iu zotova
DITARIN në çelës ta mbaj tani.

16.
PIANO IME
Shiqoj Pianon time
Gjithë melankoli
Sa shumë do të donte
Ta ketë çdo fëmijë
Me të tjera vegla
Së bashku garojmë
Na ka ndodhur madje
Edhe të fitojmë
Mbrëmjeve të prillit
Shoqet shpesh i thërras
E shoh piano ime
Mbushet plot me gas
Na vjedhë me bisht syri
Dhe se lë pa pyet
Sonatën për mua
Keni përgaditë?

17.
MACJA IME
Mjaullinë kur më sheh
Që t’më bindë se më njeh
Macja ime qime butë
Gjurmon miun skutë më skutë
Por dhe miu shumë dinak
Maces time i bënë lak
Vrimë më vrimë ai nxiton
Fët e fët bishtin trazon
Mendon macja e uritur
Pranë oxhakut e dremitur
Është mirë RONI sot të qajë
Darkën fare mos ta hajë
E përkëdhela me një dorë
Macen time qime butë
E kuptoi nuk vonoi
Se sa keq mendoi
Kam një plan alternativë
Për ty macja ime e mirë
Një maçok fare i zi
Është i pari në fqinjësi
Si padashje del në pritë
T’më takoj mua çdo ditë
Një vend pune po kërkon
Macen time ta ndihmon
Do i jap shansin tani
Mjau mjau mjau mi…

18.
KITARA
Mbi sirtar një kitarë
Duket sikur s’ka pronar
E merr mami, babi, motra
Vëllai e dashka me lodra
Tani s’di kujt t’i ankohet
Kur një tel shpesh i gjymtohet.

19.
KËSULKUQJA
Kësulkuqja e ditëve tona
Është pak më ndryshe tha JONA
Ka kapelë të porositur
Dhe fustanin pak të ngritur
Karnavalin në qytet
Organizon me shokë të vet
Gjitha bishat na i ftuaka
Pa shih Ujkun mbret emëruaka
Gjyshen merr në telefon
Kur vendos ta viziton
Nuk harron madje shumë shpesh
Me e mail ta përshëndes.

20.
8 MARSI
E shoh mami si shpejton
Kur 8 Marsi po ofron
Një listë të madhe përgaditë
Çfarë i duhet për atë ditë.
Me një pjesë babi pajton
Ca të tjera refuzon
Në dollap një befasi
Mirë e ruan ai tani.
As unë nuk bëjë përjashtime
Për mamin dhe mësuesen time
Dy buqeta me trëndafila
Një të kuq një lloj-lloj ngjyra
I dorëzova fort u gëzova
Mbrapa shokëve nuk mbarova
Më buzëqeshën dy palë sy
Sa çun i mirë më thanë je ti.

21.
TELEVIZIONI
Më pëlqen Drakulla
Këngën ta dëgjoj
Dhe Adea Pula
Si di të vallëzoj
Film të vizatuar
E kam qejf Pinokun
As Mbretit të Xhunglës
Nuk i gjen dot shokun
Ankohen të gjithë
Nganjëherë në mua
Si more një lajmë
S’na lë me dëgjua
Ndihem si një Mbret
Në pallat të vet
Të shkoj n’dhomën time
Fare s’ka lezet.

22.
TOPI
S’është patjetër të ketë lara
Që të futet e bëjë gara
Po nuk dite ta qëllosh
Mendjen ta lë boshë
Nuk zgjedhë fushë e as lojtar
Dhe patjetër është i parë
Ende t` gjithë pa e zbulue
Shih portierin e ka rrëzue
Shpesh e fyejnë si për mahi
Kur në portë nuk di të hyj
Xha Petriti e mallkon
Që kur këmbë e tij çalon
Topi di dhe të gëzoj
Kupën madje të fitoj
Atëherë gati e prek qiellin
Kur dy duart sa lartë e hedhin.

23.
XIXËLLONJA
Sa shumë i dua balonat
Pak më tepër xixëllonjat
Ah të mirë një histori
Xixëllonjë e ke ti.
Të kujtohet vashë e bukur
E uritur dhe e strukur
Xixë pas xixe ngrohe ti
Një mbrëmje për vit të ri
Tërë atë natë vasha ëndërroi
Bukën fortë si e coptoi
Një mish zogu me lezet
E ndante me prind të vet
Bukur vasha të shoqëroi
Në dorë fortë ty të shtrëngoi
Mëngjesi të kishte gdhirë
Të fikur por të lirë
Unë dhe emrin ia doja
Vasha me xixëllonja

24.
HËNA
Kur të gjithë nisin e flasin
Mami, babi të bërtasin
Të drejtohem hënëz ty
Ti një yll më vë në sy
Kur ankohen t’gjithë në mua
Shih dhe shoqja është hidhërua
Të drejtohem hënëz ty
Ti s'më lë më bënë shoqëri
Bashkë shëtisim buzë liqenit
Verdhacake plot hijeshi
Edhe shtratin gjen për mua
Fli më thua tani fli.
Herë e plot herë gjysmake
Një planet një mrekulli
Mos mendo se edhe toka
Nuk të ka pakëz zili.

25.
ZOG SHTEGTAR
Oh sa herë të kam kërkuar
Zog shtegtar i bukuri ti
Ca urime që kam shkruar
Ti dërgosh shokëve të mi
Ata gjenden në tërë botën
Në Zelandë e Amerikë
Mu si ti shtegtar më janë
Për liri lakmi të kanë.
Në dritare shpesh pushon
Me sqep pakëz komandon
Nuk hidhërohem se e di
Sqepin mburrje e ke ti.

26.
GËNJESHTARI
Gënjeshtar mor torollak
Pa ulu mendohu pak
Pesëshe thua në ditar
Për çdo ditë ke marrë
Ditarin plot njësha ke
Ke një dysh mos me bë be
Dhe një tresh diku kah fundi
Katërshen e mundi
Kur vjel mollë, dardhë e kumbull
Gjatë gjithë verës në fqinjësi
Aktron bukur kur të pyesin
I rrudhë krahët nuk e di
E kan thënë edhe më parë
Rrena këmbë të shkurtër ka
Lëre këtë avaz të vjetër
Zgjidhe një rrugë tjetër.

27.
PËRRALLA NË GJUMË
Disa përralla kam dëgjuar
Ca të tjera kam lexuar
Hulumtoja çdo mundësi
Në cilën të hyj.
Ani shumë u befasova
Kur një gjë unë e kuptova
Dilja pa nda nga çdo përrallë
Unë i vetmi fitimtar.
Kam luftuar me dragua
Ashtu fare pa mendua
Princeshën në pyll të fjetur
Vet e kisha gjetur.
Kur ofrova buzën time
Princeshën ta zgjoj nga gjumi
Ora në mur fort cingëroi
Zgjohu të marrtë lumi.

28.
QESHJA
Qesha unë pse dordolecit
Po i djeg hunda prej specit
Dhe pse djepi vëllanë tim
Nuk e zë të hyn.
Qesha edhe kur babloku
Po vraponte me gjysmë shkopi
Dhe ai nuk më qëlloi
Ashtu si mendoi.
Tinëz qesha me një shok
Kur rrëshqiti ra për tokë
Një minutë më parë krenohej
Nuk ka shans të rrëzohej.
Dhe kur zonja Miradije
Kishte mbushë një gjysmë tepsie
Me simite e llokum
Për fëmijët në katund.
Desha s'desha t'madhe qesha
Kur një qen fort laraman
Hop kërceu pa u ndi
Drejt e në tepsi.
Një ditë mblidhen që të gjithë
Donë në mua t'marrin hak
Pa më pritni mor të mjerë
Sa të rritem edhe pak.

29.
SHIU
Qajnë vitrinat e qytetit
Dhe i vetmi lapidar
Shi i vjeshtës me stuhi
Mirë se keni ardhë.
Pak zymtohet dhe qyteti
Po kjo s'ka fare rëndësi
Re të hirta na premtojnë
Ylberin ta zgjojnë
E ne ecim dorë për dore
Llokoçitemi me kënaqësi
Më i lumtur ndër të lumtur
Bishtaleci që mban ti.

30
UNIFORMA
Kohë më parë ca bisedime
U zhvilluan n'shkollën time
Uniform për gjithë shkollarët
Preferojnë dhe qytetarët.
Ishte diçka që nuk dinim
Të votojmë a refuzojmë
Disi ne u dakorduam
Pse jo e provuam.
Po ç'na doli mrekulli
Si besoja syve të mi
Fundi vashës palë palë
Me dy ngjyra zi e bardhë
Një kravatë e kombinuar
Bukur dizajnuar.
Shih dhe çuni nuk lëshon pe
Nuk t'koris unë ty ore
I drejtohet me të qeshur
Shoqes në bankë, Lezes
Paj si duket kurrë më parë
S'kemi qenë kaq barabar
Andaj tani koncentrohu
Pa djallëzi notohu.
Lezja hundën pak përpjetë
Seç e ngriti me lezet
E di tha, more tutkun
Por nuk jam e vetmja unë.